Real Madrid ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit portugez Bernardo Silva, i cili i bashkohet klubit madrilen si lojtar i lirë pas largimit nga Manchester City.
Klubi spanjoll konfirmoi marrëveshjen përmes një njoftimi zyrtar, duke bërë të ditur se lojtari ka firmosur një kontratë dyvjeçare, e vlefshme deri më 30 qershor 2028.
“Real Madrid dhe Bernardo Silva kanë arritur një marrëveshje që ai të bëhet futbollist i Real Madridit për dy sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2028”, thuhej në komunikatën e klubit.
Mesfushori portugez kishte tërhequr interesin e disa skuadrave të rëndësishme europiane. Fillimisht ai ishte në kontakte me klube të Serie A, ndërsa më pas negociatat u përqendruan te Atlético de Madrid dhe FC Barcelona.
Barcelona konsiderohej shumë pranë arritjes së marrëveshjes me 31-vjeçarin, por situata ndryshoi brenda pak orësh. Sipas raportimeve, ndërhyrja e menjëhershme e Real Madridit, e kërkuar nga trajneri José Mourinho, rezultoi vendimtare për të bindur lojtarin të transferohej në “Santiago Bernabéu”.
Kështu, Bernardo Silva i bashkohet projektit të ri të madrilenëve, duke sjellë eksperiencën e fituar gjatë viteve të suksesshme me Manchester Cityn dhe duke i dhënë më shumë cilësi repartit të mesfushës së “Los Blancos”.









