Një operacion i zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Ksamil është shoqëruar me skena të ngjashme me ato të filmave aksion, duke përfunduar me arrestimin e Elvis Koçit, i njohur ndryshe si Elvis Çaushllari ose me nofkën “Vis Korçari”.
34-vjeçari nga Elbasani u vu në pranga pas një aksioni të koordinuar mes strukturave operacionale të Policisë së Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë. Burime bëjnë me dije se ai ishte lokalizuar në zonën e Ksamilit, ku forcat e rendit kishin organizuar ndërhyrjen për kapjen e tij.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 22:30 policia ka ndërmarrë operacionin, duke angazhuar edhe agjentë civilë të sektorit të krimeve në Sarandë. Në momentin që ka kuptuar praninë e efektivëve, Koçi dyshohet se ka tentuar t’i shpëtojë arrestimit përmes manovrave të rrezikshme me automjet.
Gjatë përpjekjes për t’u larguar, ai ka përplasur dy automjete civile të policisë dhe ka arritur të çajë rrethimin, duke u larguar përkohësisht nga vendi i ngjarjes. Menjëherë pas kësaj, policia ka nisur një ndjekje intensive, ndërsa në operacion janë përfshirë edhe forcat e FNSH-së.
Pas rreth 30 minutash kërkimesh dhe ndjekjeje, 34-vjeçari është lokalizuar pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku është neutralizuar dhe arrestuar nga efektivët e policisë. Gjatë operacionit është sekuestruar edhe automjeti që ai përdorte, i cili rezulton i regjistruar në emër të vëllait të tij.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar mbi arsyet e ndalimit të Koçit. Megjithatë, burime jozyrtare bëjnë me dije se ai mund të ketë qenë në kërkim në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Elvis Koçi, i njohur në botën e krimit si “Vis Korçari”, është një emër i lakuar prej vitesh në dosjet e grupeve kriminale të Elbasanit. Ai u arrestua në vitin 2022 në kuadër të operacionit të SPAK-ut “Plumbi i Artë”, por u lirua rreth një vit më vonë.
Emri i tij është përmendur gjithashtu në konfliktet mes grupeve kriminale rivale në Elbasan. Hetimet e mëparshme kanë evidentuar përplasje dhe armiqësi me grupin e Suel Çelës, ndërsa në vitin 2020 ai i shpëtoi një atentati të armatosur.
Policia pritet të japë detaje të mëtejshme mbi operacionin dhe statusin ligjor të 34-vjeçarit, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.









