Gjermania ka siguruar matematikisht kualifikimin në raundin tjetër të Kupës së Botës pas një fitoreje dramatike 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, në një ndeshje që u vendos vetëm në sekondat e fundit.
Skuadra afrikane kaloi e para në avantazh me anë të Frank Kesie, i cili realizoi në minutën e 29-të, duke i dhënë ekipit të tij epërsinë minimale në fundin e pjesës së parë.
Për të ndryshuar rrjedhën e takimit, trajneri Julian Nagelsman aktivizoi Deniz Undav në minutën e 60-të, një lëvizje që rezultoi vendimtare. Sulmuesi gjerman barazoi shifrat në minutën e 68-të dhe, kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, realizoi sërish në minutën e katërt shtesë, duke kompletuar përmbysjen spektakolare.
Gjermanët patën edhe disa gola të anuluar gjatë ndeshjes, por në fund arritën të merrnin tri pikët e plota, që u garantojnë kalimin në fazën tjetër të turneut.
Në raundin e ardhshëm, Gjermania do të përballet me Ekuadorin, ndërsa Bregu i Fildishtë do të kërkojë reagimin ndaj Curaçaos.
Gjermani – Bregu i Fildishtë 2-1
Shënues: Undav 68′, 90+4′ / Kesie 29′









