Tensione para Kryeministrisë/ Policia ultimatum protestuesve: Lironi rrugën ose do të ndërhyjmë

Mëngjesi i së shtunës është shoqëruar me tensione në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit që kaluan natën përpara godinës së Kryeministrisë janë përballur me kërkesën e Policisë për të liruar hapësirën e zënë dhe për të rikthyer qarkullimin normal.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, efektivët e Policisë u kanë bërë thirrje qytetarëve të largohen nga rruga, duke paralajmëruar se në rast të mosrespektimit të kërkesës, autoritetet do të detyrohen të marrin masa për zbatimin e ligjit dhe zhbllokimin e qarkullimit.

Paralajmërimi i Policisë është pritur me kundërshtime nga protestuesit, të cilët kanë refuzuar të tërhiqen dhe kanë vijuar qëndrimin e tyre përpara Kryeministrisë. Në përgjigje të ultimatumit, turma ka shpërthyer në thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Protestuesit kanë deklaruar se do të vazhdojnë rezistencën dhe nuk do të largohen nga sheshi deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa situata në zonë mbetet e tensionuar dhe nën monitorimin e forcave të rendit.