Mesi shkëlqen me “tripletë”, por një episod ndez debatet: Tifozët kërkojnë karton të kuq

Lionel Messi ishte protagonisti kryesor i fitores 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë, duke realizuar tre gola dhe duke hyrë edhe më thellë në historinë e Kupës së Botës. Megjithatë, pavarësisht paraqitjes spektakolare, një episod i ndeshjes ka shkaktuar polemika të shumta në rrjetet sociale.

Gjatë pjesës së parë, në një duel për topin, kapiteni argjentinas u përfshi në një ndërhyrje ndaj mbrojtësit algjerian Mendi. Pamjet e aksionit tregojnë një kontakt të fortë nga pas, situatë që sipas shumë tifozëve dhe analistëve duhej të ishte rishikuar nga sistemi VAR.

Pavarësisht protestave të lojtarëve algjerianë, arbitri vendosi ta konsideronte rastin si një faull të zakonshëm loje, pa nxjerrë as karton të verdhë për yllin argjentinas.

Vendimi ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë tifozë kanë argumentuar se ndërhyrja meritonte ndëshkim më të rëndë, madje edhe karton të kuq. Të tjerë, ndërkohë, kanë mbrojtur vendimin e gjyqtarit, duke e cilësuar kontaktin si të pamjaftueshëm për përjashtim.

Ndërsa debatet vazhdojnë, Mesi mbetet njeriu i momentit në Botëror falë tre golave të realizuar, të cilët e kanë ngjitur në krye të listës së golashënuesve historikë të turneut, në një natë që do të mbahet mend si për rekordet, ashtu edhe për polemikat.