Një nga emrat që po tërheq më shumë vëmendje në Kupën e Botës 2026 është Yan Diomande, sulmuesi i Bregut të Fildishtë dhe RB Leipzigut. Talenti i ri konsiderohet si një nga lojtarët më premtues të futbollit europian, ndërsa klubi gjerman i ka vendosur një vlerë prej rreth 100 milionë eurosh.
Megjithatë, pas suksesit të tij në fushë fshihet një histori e dhimbshme familjare, të cilën futbollisti e ka rrëfyer në një letër emocionuese të publikuar në “The Players’ Tribune”, kushtuar motrës së tij të ndjerë, Roxane.
Diomand zbulon se motra ishte personi që besoi tek ai që në fillimet e karrierës, kur ëndrra për t’u bërë futbollist profesionist dukej e largët.
“E mban mend kur dikush më dhuroi një fanellë të rreme të Manchester United dhe unë shkrova ‘Ronaldo 7’ mbi të? Ti ishe gjithmonë ajo që më thoshte se mund të bëhesha Cristiano Ronaldo i ardhshëm, edhe kur të tjerët qeshnin me mua”, shkruan ai.
Sulmuesi kujton gjithashtu një moment të veçantë të karrierës së tij, debutimin kundër Real Madridit, kur pati mundësinë të ndërronte fanellën me Kylian Mbappen.
“A të kujtohet kur e shikonim Mbappen në televizor dhe ti më thoje: ‘Po, ai është i mirë, por vëllai im është më i mirë’? Pas ndeshjes me Realin, mora fanellën e tij. Do të kishe qenë shumë krenare”, rrëfen Diomand.
Por lumturia e atij momenti u kthye shpejt në dhimbje. Pak kohë më pas, motra e tij humbi jetën tragjikisht në moshën 15-vjeçare.
Sipas rrëfimit të futbollistit, vajza ndodhej në një festë kur dikush dyshohet se i hodhi një substancë në pije. Ajo nuk u zgjua më kurrë.
“Që nga dita kur u largove, ndihem bosh. Vetëm kur jam në fushë gjej paqe dhe ndiej sikur mund të flas me ty. Çdo gjë që bëj, çdo stërvitje, çdo ndeshje dhe çdo gol është për ty”, shkruan ai.
Pavarësisht dhimbjes së madhe, Diomand tregon se ka zgjedhur ta përdorë atë si forcë për të ecur përpara dhe për të realizuar ëndrrat që ndante me motrën e tij.
“Do të vazhdoj të luftoj për të realizuar gjithçka që kemi ëndërruar së bashku. Dhe do të sigurohem që e gjithë bota ta njohë emrin tënd”, përfundon mesazhin e tij emocionues sulmuesi i Bregut të Fildishtë.
Një histori frymëzuese dhe prekëse që tregon se pas suksesit dhe famës, shpesh fshihen sakrifica dhe plagë të mëdha personale.









