Tensione dhe përplasje procedurale janë regjistruar këtë të enjte në Kuvend, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke detyruar drejtuesin e seancës, Niko Peleshi, të ndërpresë dy herë punimet e Parlamentit.
Situata u tensionua pasi kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi të merrte fjalën pas diskutimit të Taulant Ballës. Kërkesa e tij nuk u pranua nga Peleshi, i cili argumentoi se procedura nuk e lejonte dhënien e fjalës në atë moment. Vendimi shkaktoi reagimin e menjëhershëm të deputetëve të opozitës, të cilët u drejtuan drejt foltores dhe bllokuan vijimin normal të seancës.
Pasi deputetët refuzuan të largoheshin, Peleshi vendosi ndërprerjen e parë të seancës për pesë minuta. Megjithatë, edhe pas rifillimit të punimeve, opozita vijoi protestën duke mbajtur të bllokuar foltoren dhe duke kërkuar të drejtën e fjalës për procedurë.
Ndërkohë, drejtuesi i seancës njoftoi kalimin në pikën e tretë të rendit të ditës, ku ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, do të raportonte mbi zhvillimet e Konferencës së Tetë Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian dhe ecurinë e procesit të integrimit europian.
“Mos e prishni seancën në pikën e gabuar. Lejoni ministrin e Jashtëm të flasë, është një çështje me interes publik dhe qytetarët duan të informohen për procesin e integrimit”, u shpreh Peleshi nga foltorja.
Nga ana tjetër, deputetët e opozitës dëgjoheshin të thërrisnin vazhdimisht “Zbato rregulloren, zbato procedurën”, ndërsa Peleshi këmbënguli se rregullorja po respektohej dhe se fjala nuk mund të merret jashtë procedurave të përcaktuara.
Përplasjet verbale vijuan edhe më tej, kur deputeti Flamur Noka akuzoi drejtuesin e seancës për shkelje të rregullores. Peleshi iu përgjigj me tërheqje vëmendjeje, ndërsa nga salla u dëgjuan thirrje dhe akuza të ndërsjella.
Në kushtet e tensioneve të vazhdueshme dhe pamundësisë për të vijuar normalisht punimet, Peleshi vendosi të ndërpresë sërish seancën, këtë herë për 15 minuta, duke deklaruar se “Kuvendi nuk është arenë gladiatorësh”.









