Dosja Meta-Kryemadhi/ SPAK zbardh listën me 28 dëshmitarë – Mes tyre ish-ministra, biznesmenë dhe politikanë të njohur

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka depozituar në gjykatë listën e dëshmitarëve që kërkon të thirren në procesin gjyqësor ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Në listën e paraqitur nga organi i akuzës përfshihen 28 persona, mes të cilëve biznesmenë të njohur, ish-ministra, ish-deputetë, diplomatë, ish-zyrtarë të lartë dhe bashkëpunëtorë të afërt të çiftit Meta-Kryemadhi.

Sipas SPAK-ut, dëshmitë e tyre konsiderohen të rëndësishme për zbardhjen e rrethanave që lidhen me dosjen penale ndaj ish-çiftit politik, i cili përballet me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Në listën e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK bëjnë pjesë: Jozef Hejsek, Ervis Mataj, Ardian Shatku, Pirro Xhixho, Ema Çoku, Esmeralda Shkjau, Kastriot Ismailaj, Vojsava Ismailaj, Milena Harito, Përparim Spahiu, Sokol Hysenaj, Majlind Lazimi, Agron Çela, Luan Rama, Endrit Brahimllari, Samir Mane, Petrit Vasili, Spartak Braho, Ilir Kulla, Fatos Mahmutaj, Theodhori Çami, Nasip Naço, Vangjel Tavo, Lindita Troka, Baton Haxhiu, Erjol Brahimllari, Damian Gjiknuri dhe Ralf Gjoni.

Procesi ndaj Metës dhe Kryemadhit pritet të jetë një nga gjykimet më të rëndësishme politike dhe juridike të viteve të fundit, ndërsa dëshmitë e personave të thirrur nga SPAK mund të luajnë rol kyç në vlerësimin e provave dhe pretendimeve të paraqitura nga organi i akuzës.