Autoritetet ruse kanë pezulluar përkohësisht mbërritjet dhe nisjet në katër aeroportet kryesore të Moskës, pas një sulmi të gjerë me dronë ukrainas që vuri në alarm kryeqytetin rus.
Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya) njoftoi se kufizimet janë vendosur në aeroportet Vnukovo, Domodedovo, Zhukovski dhe Sheremetjevo për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe të trafikut ajror.
Sipas kryebashkiakut të Moskës, Sergej Sobjanin, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 194 dronë që po i afroheshin kryeqytetit. Ai e cilësoi sulmin si një nga më të mëdhenjtë që Moska ka përjetuar që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Gjatë sulmit është goditur edhe një rafineri nafte, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi dëmet e shkaktuara.
Ministria ruse e Transportit bëri të ditur se kompanitë ajrore po rishikojnë oraret e fluturimeve për shkak të kufizimeve të vendosura në rajonin e Moskës. Megjithatë, sipas autoriteteve, situata në aeroporte mbetet nën kontroll.
Për të ndihmuar pasagjerët e bllokuar nga vonesat dhe anulimet, në aeroporte janë angazhuar punonjës shtesë, ndërsa janë vënë në dispozicion ujë i pijshëm, dyshekë, rrogozë dhe dhoma falas për nënat me fëmijë.
Në një reagim në platformën Telegram, Sobjanin deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore vazhdojnë të përballen me atë që ai e përshkroi si një sulm ukrainas në shkallë të gjerë ndaj Moskës, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës mbeten në nivele të larta.









