Skandal në Kadastrën e Dibrës/ 14 masa sigurie për tjetërsim pronash – Shpallet në kërkim ish-kandidati i PS-së

Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Dibrës ka çuar në lëshimin e 14 masave të sigurisë ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lidhur me veprimtarinë e Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Dibër, të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim të paligjshëm pronash.

Sipas burimeve pranë hetimit, mes personave për të cilët është caktuar masë sigurie ndodhet edhe Daniel Gjurraj, ish-kandidat i Partisë Socialiste dhe ish-drejtor i Transporteve në Dibër, i cili raportohet se është shpallur në kërkim.

Hetimet paraprake dyshojnë se zyrtarë të Kadastrës dhe persona të tjerë kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe duke përfituar në mënyrë të paligjshme nga procedurat e regjistrimit dhe tjetërsimit të pronave kundrejt përfitimeve materiale.

Emri i Gjurrajt është përmendur edhe më herët në ngjarje që kanë tërhequr vëmendjen publike. Gjatë zgjedhjeve parlamentare të fundit, babai i tij, Esat Gjura, u arrestua pasi dyshohej se kishte qëlluar me armë zjarri në ajër pas një incidenti të lidhur me dyshime për shitblerje votash.

Po ashtu, Daniel Gjurraj u përfshi në një incident në një qendër votimi në zonën e Maqellarës, ku u raportua një përplasje fizike mes përfaqësuesve politikë dhe mbështetësve të partive rivale.

Deri tani, Prokuroria e Dibrës dhe Policia e Shtetit nuk kanë publikuar një njoftim zyrtar me detaje të plota mbi operacionin, ndërsa mësohet se një pjesë e masave të sigurisë janë ekzekutuar dhe hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në skemën e dyshuar.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se çështja lidhet me tjetërsimin e pronave përmes dokumentacionit të manipuluar dhe procedurave të kryera në shkelje të ligjit, duke shkaktuar dyshime për një skemë të organizuar abuzimi me pronat në qarkun e Dibrës.