Bayern Munich është shumë pranë zyrtarizimit të transferimit të mesfushorit maroken Ismael Saibari nga PSV Eindhoven, në atë që konsiderohet si një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës për kampionët e Gjermanisë.
Sipas raportimeve nga Gjermania, Bayern ka arritur marrëveshje të plotë me PSV-në për një transferim që kap vlerën e rreth 55 milionë eurove, ndërsa lojtari ka rënë dakord për një kontratë afatgjatë deri në vitin 2031. Edhe vizitat mjekësore janë kryer gjatë Botërorit 2026, duke lënë vetëm zyrtarizimin e marrëveshjes.
Saibari vjen pas një sezoni fantastik me PSV-në dhe paraqitjeve mbresëlënëse me Marokun në Kupën e Botës, ku ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane.
Por merkatoja e Bayernit nuk pritet të ndalet këtu. Drejtuesit bavarezë janë shumë pranë mbylljes edhe të një tjetër operacioni të madh, atë të mbrojtësit të majtë gjerman Nathaniel Brown nga Eintracht Frankfurt.
Sipas mediave gjermane, Brown ka arritur marrëveshje personale me Bayernin dhe klubet po finalizojnë detajet e fundit të transferimit, i cili mund të kushtojë mes 55 dhe 65 milionë euro. Futbollisti 23-vjeçar konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit gjerman dhe shihet si zgjidhja ideale për krahun e majtë të mbrojtjes.
Përveç Saibarit dhe Brown, Bayern po monitoron edhe opsione të tjera për mesfushën dhe qendrën e mbrojtjes. Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit bavarezë nuk e konsiderojnë të mbyllur merkaton dhe mund të afrojnë edhe një mesfushor ose një qendërmbrojtës, në varësi të largimeve që do të realizohen gjatë javëve të ardhshme.
Megjithatë, burime të tjera pranë klubit raportojnë se nëse finalizohen transferimet e Saibarit dhe Brown, Bayern mund të frenojë investimet e tjera dhe të fokusohet te balancimi i skuadrës përmes shitjeve.
Pas fitimit të Bundesligës dhe rikthimit në majat e futbollit gjerman, Bayern duket i vendosur të ndërtojë një skuadër edhe më konkurruese për sezonin e ri, me Saibarin dhe Brown që pritet të jenë dy gurët e parë të projektit të Vincent Kompany.









