Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka zbuluar mesazhin që u dha lojtarëve të tij gjatë pushimit mes pjesëve në sfidën ndaj Kroacisë, një fjalim që rezultoi vendimtar për përmbysjen spektakolare dhe fitoren 4-2 në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.
Pas një pjese të parë zhgënjyese, ku anglezët shkuan në dhomat e zhveshjes në disavantazh me dy gola, tekniku gjerman zgjodhi qetësinë në vend të kritikave dhe panikut. Ai u kërkoi futbollistëve të rikuperonin energjitë dhe të ruanin besimin te loja e tyre.
“Ndenja me ta dhe u dhashë kohë të qetësoheshin. Kishim pësuar një gol të rëndë dhe ishte thelbësore të largonim nervozizmin. Më pas i inkurajova të luanin futbollin tonë”, deklaroi Tuchel pas ndeshjes.
Sipas tij, rezultati i pjesës së parë nuk duhej të ndryshonte besimin që ai kishte krijuar te skuadra gjatë ditëve të grumbullimit.
“U thashë se mendimi im për ta nuk ndryshon për shkak të një rezultati. Kërkova të ishin të guximshëm, intensivë, të ecnin përpara së bashku dhe të luftonin vetëm për fitoren. Doja që të merrnin kontrollin e lojës dhe të ishin aktivë në çdo moment”, tha trajneri anglez.

Tuchel theksoi se mesazhi i tij ishte i shkurtër, por i qartë: lojtarët duhej të besonin te vetja dhe të mos kishin frikë.
“I inkurajova dhe u thashë se ne u besojmë plotësisht. Nuk kishin asgjë për t’u frikësuar. Mesazhi ishte i thjeshtë: të shkonim për fitore dhe të ishim aktivë në fushë”, përfundoi strategu gjerman.
Vendimi i Tuchel rezultoi i duhuri, pasi Anglia reagoi fuqishëm në pjesën e dytë, përmbysi rezultatin dhe e nisi Botërorin me një fitore spektakolare, duke dhënë sinjale se synon të jetë një nga pretendentet kryesore për trofeun.









