Berisha pranon lobimin për vizën amerikane: Pagesën e bëri një fondacion që mbështet PD-në

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar publikisht se është zhvilluar lobim në Shtetet e Bashkuara për çështjen e ndalimit të hyrjes së tij në SHBA, duke deklaruar se shpenzimet janë mbuluar nga një fondacion që mbështet Partinë Demokratike.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha mohoi të ketë zhvilluar negociata me zyrtarë amerikanë, por theksoi se procedura e ndjekur ka qenë ajo e lobimit. Ai sqaroi se fondacioni që ka marrë përsipër mbrojtjen e kauzës së PD-së ka financuar këtë proces, pa bërë publike shumën e paguar apo identitetin e fondacionit.

“Kanë lobuar për Sali Berishën? Po, pa diskutim. Procedura është lobim. Nuk kam lobuar me administratën Biden. Nuk ka procedurë tjetër përveç lobimit”, u shpreh ai.

Berisha shtoi se sanksioni i vetëm ndaj tij ka qenë ndalimi i pajisjes me vizë amerikane dhe pretendoi se autoritetet amerikane kanë kryer verifikime të hollësishme financiare ndaj tij dhe familjarëve të tij, pa gjetur elementë që do të çonin në masa të tjera.

Deklarata vjen ndërsa në njoftimet zyrtare të Departamenti Amerikan i Shtetit, Berisha dhe familjarët e tij vijojnë të figurojnë në listën e personave të shpallur “non grata”.

Ndërkohë, më herët janë publikuar në media detaje mbi një kontratë lobimi me vlerë 6 milionë dollarë, e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, me kompaninë amerikane Continental Strategy⁠. Sipas dokumenteve të raportuara, si garant financiar figuron Nuredin Elez Seci, emigrant shqiptar me banim në Nju Jork, ndërsa kontrata parashikon pagesa mujore prej 250 mijë dollarësh për një periudhë 24-mujore. Gjithashtu, raportohet se më 24 prill 2025 është kryer edhe një parapagim prej 750 mijë dollarësh për tre muajt e parë të kontratës.