Pas përplasjes në Kuvend – Rama ironizon Shehajn dhe Kaprin: Kushedi si rrotullohet Mit’hat Frashëri në varr!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ironike në rrjetet sociale pas debatit të tensionuar që u zhvillua në Kuvend mes tij dhe deputetëve të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

Pak orë pas përplasjes verbale në sallën e Parlamentit, kreu i qeverisë publikoi në profilin e tij një video nga momentet e debatit, duke e shoqëruar me një këngë satirike dhe komente tallëse ndaj dy deputetëve të opozitës.

Në videon e postuar nga Rama dëgjohet një këngë me vargje ironike, ndërsa pamjet fokusohen te momenti kur Shehaj dhe Kapri i afrohen kryeministrit gjatë debatit parlamentar. Publikimi u shoqërua me një tjetër mesazh thumbues, ku Rama nuk kurseu sulmet ndaj kundërshtarëve politikë.

“Kushedi si rrotullohet në varr i ndjeri Mit’hat Frashëri me këta karagjozë të dalë nga koteci i kokës. Natën, shijojeni me kë ju do qejfi dhe mos e çani kokën për ulëritësit e rrugëve, se aq u mban koteci të shkretëve”, shkroi kryeministri në rrjetet sociale.

Reagimi i Ramës vjen pas një seance parlamentare të shoqëruar me tensione dhe replika të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Debati mes kryeministrit dhe përfaqësuesve të Partisë Mundësia tërhoqi vëmendjen në sallën e Kuvendit, ndërsa shkëmbimet e akuzave vijuan edhe pas përfundimit të seancës përmes rrjeteve sociale.

Postimi i kreut të qeverisë ka ngjallur reagime të shumta në internet, duke rikthyer në qendër të debatit gjuhën e përdorur nga politika shqiptare dhe përplasjet gjithnjë e më të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.

Përplasja e fundit konsiderohet një tjetër episod i klimës së tensionuar politike që po shoqëron jetën parlamentare në vend, ku debatet në sallën e Kuvendit po pasohen gjithnjë e më shpesh nga replika dhe ironira në rrjetet sociale.

Postimi I Ramës:

Kushedi si rrotullohet në varr
i ndjeri Mit’hat Frashëri me këta karagjozë të dalë nga koteci i kokës😢🤡

Natën natën, dhe shijojeni me kë ju do qejfi nëpër Tiranën e bukur e mos e çani kokën për ulëritësit e rrugëve, se aq u mban koteci të shkretëve😂❤️