FORMULA 1/ Toto Wolff paralajmëron rivalët: Hamilton bëhet i pandalshëm kur ndien mundësinë për titull

Shefi i Mercedesit, Toto Wolff, ka lëshuar një paralajmërim për rivalët e Ferrarit, duke theksuar se Lewis Hamilton mbetet një nga pilotët më të rrezikshëm në Formula 1 kur hyn në garën për titullin botëror.

Austriaku, i cili ka punuar për vite me radhë me britanikun te Mercedesi dhe ka festuar së bashku me të gjashtë nga shtatë titujt botërorë të karrierës së Hamiltonit, beson se rikthimi i Ferrarit në majë mund ta bëjë sërish anglezin protagonist absolut.

“E kam parë të ndodhë për shumë vite. Papritur treni i Lewis Hamiltonit vihet në lëvizje dhe më pas është shumë e vështirë ta ndalosh”, deklaroi Wolff.

Tashmë rrugët e tyre janë ndarë. Wolff vazhdon të drejtojë Mercedesin, ndërsa Hamilton ka nisur një kapitull të ri me Scuderia Ferrari, ku së fundmi arriti fitoren e tij të parë me skuadrën italiane në Barcelonë, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë për “Kokëkuqen”.

Drejtuesi i Mercedesit pranoi se nuk do të dëshironte të përballej me ish-pilotin e tij në një duel për kampionatin.

“Po të mundja, nuk do të doja të luftoja për titull kundër mikut tim të vjetër Lewis, sepse kur ai ndien erën e gjakut, sulmon menjëherë. E njoh shumë mirë”, shtoi Wolff.

Ndërkohë, te Ferrari mbizotëron optimizmi pas suksesit të fundit. Edhe pse drejtuesi i skuadrës, Frédéric Vasseur, kërkon të ruajë qetësinë, rezultatet e fundit kanë rritur besimin se skuadra italiane mund të rivalizojë për titullin.

Hamilton aktualisht renditet i dyti në kampionat, 41 pikë pas liderit Kimi Antonelli dhe 9 pikë përpara shokut të tij të dikurshëm te Mercedesi, George Russell.

Përmirësimet teknike të sjella nga Ferrari në Barcelonë, bashkë me bashkëpunimin e Hamiltonit me inxhinierin e tij të ri të pistës, Carlo Santi, kanë krijuar bindjen se skuadra italiane ka gjetur më në fund drejtimin e duhur për të sfiduar Mercedesin në pjesën e mbetur të sezonit.

Potencialin e Ferrarit e ka vlerësuar edhe kampioni në fuqi i botës, Lando Norris, i cili u shpreh se skuadra italiane është aktualisht referencë në performancën në kthesa dhe se, me një motor më konkurrues, do të ishte edhe më e vështirë për t’u mposhtur.