Vrasja e efektivit Enea Mekolli/ Prokuroria ngre 4 akuza ndaj Braçellarit – Hapen hetim dhe për drejtuesit e operacionit

Prokuroria e Korçës ka zyrtarizuar akuzat ndaj Vjoland Braçellarit, autorit të dyshuar të vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, dhe plagosjes së rëndë të kolegut të tij, Edison Adri, gjatë operacionit policor të zhvilluar në Malin e Bodesë. Paralelisht me hetimin ndaj të arrestuarit, organi i akuzës ka nisur verifikime edhe për mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit, ku dyshohet se mund të jenë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën me dije se ndaj Braçellarit rëndojnë katër akuza të rënda penale: “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit e mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Sipas hetimeve paraprake, procedimi penal ka nisur pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 4 qershor 2026 në zonën e Malit të Bodesë, ku forcat e Policisë së Korçës kishin organizuar një operacion për kapjen e Vjoland Braçellarit, i cili rezultonte person në kërkim dhe i dënuar më herët me 10 vite burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Operacioni u vu në lëvizje edhe pas kallëzimit të një 32-vjeçari me inicialet A.K., i cili kishte punuar si bari në bagëtitë e Braçellarit. Sipas dëshmisë së tij, ai ishte dhunuar fizikisht dhe ishte kërcënuar me armë zjarri nga i kërkuari, i cili qëndronte në stallat e bagëtive në zonën malore dhe dyshohej se ishte i armatosur.

Mëngjesin e 4 qershorit, rreth orës 07:00, forcat policore iu afruan zonës ku ndodhej Braçellari me qëllim neutralizimin dhe arrestimin e tij. Sipas dosjes hetimore, gjatë rrethimit të objektit, i dyshuari ka hapur zjarr ndaj efektivëve të policisë, duke goditur për vdekje efektivin Enea Mekolli dhe duke plagosur rëndë kolegun e tij, Edison Adri.

Prokuroria thekson se Braçellari ka qëlluar ndaj punonjësve të policisë pavarësisht faktit se ata ishin të identifikuar qartë si forca policore dhe mbanin uniforma, jelekë antiplumb dhe pajisje të tjera zyrtare. Nga hetimet rezulton se Mekolli është goditur në pjesën e gjoksit dhe në zonën e shiritave mbajtës të jelekut antiplumb, plagë që rezultuan fatale.

Sipas organit të akuzës, edhe pasi efektivët u përpoqën të jepnin ndihmën e parë për kolegun e tyre të plagosur, Braçellari ka vijuar të qëllojë me armë zjarri, duke plagosur rëndë në kokë edhe efektivin Edison Adri.

Pas shkëmbimit të zjarrit, autori i dyshuar tentoi të largohej nga zona, por u plagos dhe u arrestua nga forcat e policisë pak metra larg stallave ku ishte pozicionuar.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Korçës ka bërë të ditur se po heton edhe zinxhirin drejtues të operacionit policor. Sipas organit të akuzës, ekzistojnë dyshime të bazuara se mund të jenë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në lidhje me mënyrën e planifikimit, organizimit dhe drejtimit të operacionit, si dhe me masat e marra paraprakisht nga strukturat përgjegjëse.

Hetimet pritet të fokusohen në vendimmarrjen operative, nivelin e informacionit të disponuar për rrezikshmërinë e të kërkuarit dhe procedurat e ndjekura gjatë ndërhyrjes që përfundoi me humbjen e jetës së një efektivi dhe plagosjen e një tjetri.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të veprave penale dhe të kaluarës kriminale të të dyshuarit, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për Vjoland Braçellarin, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi opinionin publik dhe Policinë e Shtetit.