Rama ironizon videon për flamingot: “Është krijuar me Inteligjencë Artificiale, po ikin nga zhurma e protestuesve”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një videoje që po qarkullon në rrjetet sociale, ku pretendohet se flamingot po largohen nga zona e Zvërnecit drejt Maqedonisë së Veriut për shkak të projektit turistik që ka shkaktuar protesta dhe debate të forta publike.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama e cilësoi videon si një material të manipuluar me Inteligjencë Artificiale dhe akuzoi kundërshtarët e projektit se po përpiqen të dezinformojnë opinionin publik.

Sipas kreut të qeverisë, pretendimet se flamingot po largohen për shkak të investimit janë të pabazuara, pasi projekti në fjalë ende nuk ka nisur të zbatohet. Ai ironizoi autorët e videos, duke thënë se teknologjia ende nuk ka arritur deri në atë pikë sa zogjtë të reagojnë ndaj projekteve që nuk ekzistojnë ende në terren.

“Nëse do t’u besohej këtyre pamjeve, atëherë flamingot nuk po largohen prej projektit, por prej zhurmës suaj anti-ekologjike”, shkroi Rama, duke shtuar se videoja është një shembull i përdorimit të Inteligjencës Artificiale për të krijuar narrativa të rreme.

Reagimi i kryeministrit vjen në kulmin e protestave kundër projektit të planifikuar në Zvërnec, ku prej një jave qytetarë, aktivistë dhe organizata të ndryshme po kundërshtojnë investimin, duke argumentuar se ai rrezikon ekosistemin dhe pasuritë natyrore të zonës.

Debati mbi zhvillimin e zonave të mbrojtura është shndërruar në një nga temat më të nxehta të ditëve të fundit, ndërsa përplasjet mes qeverisë dhe protestuesve po intensifikohen edhe në rrjetet sociale, ku po qarkullojnë materiale dhe pretendime të shumta mbi ndikimin që projekti mund të ketë në habitatin natyror të Zvërnecit.