Policia e Tiranës ka zbardhur identitetin e 16 personave të proceduar penalisht në lidhje me protestën e zhvilluar ditët e fundit në kryeqytet, gjatë së cilës u bllokuan disa akse kryesore rrugore dhe u krijuan vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Sipas autoriteteve, mes personave të proceduar ndodhen edhe tre organizatorët e protestës, Arben Kola, Luçiana Kokaj dhe Arilda Lleshi. Ata dyshohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Në listën e personave të proceduar përfshihen gjithashtu Ernest Kapo, Aurel Kujtimi, Tomas Kroja, Mateo Yskollari, Xhonatan Dobrozi, Sergo Tafa, Ilir Xhemalaj, Ergi Qoku, Ervis Krepi, Ali Dizdari, Sokol Gjoka dhe Emir Lecini.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, Eduart Qema dhe Markel Capo, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në organizimin dhe zhvillimin e protestës.
Sipas hetimeve paraprake, të proceduarit akuzohen se kanë nxitur pjesëmarrësit të vijonin tubimin përtej orarit të miratuar dhe të mos respektonin perimetrin e përcaktuar në njoftimin zyrtar për zhvillimin e protestës. Për pasojë, në disa zona të Tiranës u regjistruan bllokime të qarkullimit dhe probleme në lëvizjen e qytetarëve.
Policia bëri të ditur se hetimet për ngjarjen janë ende në vijim dhe se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Sipas autoriteteve, dy ditë më parë u proceduan penalisht edhe 19 persona të tjerë në lidhje me të njëjtën protestë.









