Deklarata e fortë e ish-zyrtares amerikane – Clinton zbulon prapaskenat: Netanyahu kërkonte vazhdimisht sulm ndaj Iranit

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka bërë deklarata të forta për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se ai ka qenë prej vitesh i vendosur për të goditur Iranin dhe se kjo ka qenë një nga temat më të përsëritura gjatë kontakteve të tyre diplomatike.

Gjatë një interviste në një aktivitet në Nju Jork, Clinton kujtoi periudhën kur drejtonte diplomacinë amerikane, nga viti 2009 deri në vitin 2013, dhe tregoi se Netanyahu ushtronte vazhdimisht presion mbi Shtetet e Bashkuara për të mbështetur një sulm ushtarak ndaj Teheranit.

Sipas saj, kërkesa e liderit izraelit përsëritej vazhdimisht gjatë bisedave mes tyre.

“Ai thoshte vazhdimisht: ‘Duhet të na mbështesni në sulmin ndaj Iranit’. Kjo ishte një temë e përhershme gjatë viteve 2009–2012”, u shpreh Clinton.

Ish-sekretarja e Shtetit kujtoi edhe një bisedë telefonike të tensionuar me Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Ehud Barak. Sipas saj, drejtuesit izraelitë flisnin sikur një operacion ushtarak mund të niste në çdo moment.

“Ata më thoshin se avionët ishin gati në pistë. Unë u përgjigjesha: ‘Mirë, por pse po e bëni këtë?’”, tregoi Clinton.

Ajo shtoi se Netanyahu ka qenë prej kohësh i “fiksuar” jo vetëm me një goditje ndaj Iranit, por edhe me arritjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Sipas Clintonit, këto dy objektiva kanë dominuar agjendën e tij politike për vite me radhë.

Ish-zyrtarja amerikane argumentoi se e njëjta qasje vazhdon të reflektohet edhe në raportet e Netanyahut me presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme dhe debati mbi programin bërthamor iranian mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.