Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë mbrëmjen e sotme, pasi një adoleshent 17-vjeçar hapi zjarr në një restorant në provincën Mersin, duke lënë pas katër viktima dhe tetë persona të plagosur.
Sipas mediave turke, sulmi nisi brenda një restoranti, ku i riu i armatosur qëlloi me armë zjarri ndaj personave të pranishëm. Dy nga viktimat dyshohet se janë pronari i restorantit dhe një prej punonjësve të tij.
Pas të shtënave në lokal, autori është larguar me automjet dhe ka vijuar sulmin në zona të tjera, duke qëlluar edhe ndaj kalimtarëve. Raportohet se mes viktimave janë edhe një bari që po kulloste delet në zonë, si dhe një shofer kamioni.
Tetë persona të tjerë mbetën të plagosur nga sulmi i armatosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa u transportuan me urgjencë drejt spitaleve të zonës për të marrë ndihmë mjekësore.
Policia turke ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorit, ndërsa forca të shumta sigurie janë vendosur në Mersin dhe në akset kryesore rrugore për të bllokuar arratisjen e tij.
Autoritetet po hetojnë motivet e sulmit, ndërsa ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik turk.









