Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të kuptohet për një afrimin të ri me aleatët evropianë, duke deklaruar se vendet e Europës mund të luajnë një rol të rëndësishëm në fazën pas arritjes së marrëveshjes së paqes me Iranin.
Në një intervistë të shkurtër për gazetën italiane Corriere della Sera, Trump u shpreh se partnerët evropianë “mund të jenë shumë të dobishëm në të ardhmen”, ndonëse theksoi se sipas tij ata nuk kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në procesin aktual që çoi drejt marrëveshjes me Iranin.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në prag të samitit të vendeve të G7-ës, që do të zhvillohet javën e ardhshme në Evian, ku Trump pritet të takohet me liderët kryesorë evropianë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Trump ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj rolit të vendeve të G7-ës në procesin diplomatik me Iranin, duke deklaruar më herët se grupi nuk ka pasur ndikim të rëndësishëm në arritjen e paqes. Megjithatë, komentet e fundit sugjerojnë se Uashingtoni mund të kërkojë mbështetjen e partnerëve evropianë në fazën e zbatimit të marrëveshjes.
Sipas raportimeve, ndër çështjet ku Europa mund të kontribuojë janë operacionet për pastrimin e minave detare dhe garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushtica e Hormuzit, një korridor strategjik për tregtinë globale të naftës dhe gazit.
I pyetur nëse pret bashkëpunim më të ngushtë me aleatët evropianë pas marrëveshjes me Iranin, Trump u përgjigj shkurt: “Nuk e di. Varet prej tyre.”









