Ish-kampioni i botës me Gjermaninë në vitin 1990, Jurgen Klinsmann, beson se Brazili është kandidati kryesor për të fituar Kupën e Botës 2026, duke vlerësuar ndikimin e trajnerit italian Karlo Ançeloti në krye të “Seleçaos”.
Në një intervistë për ESPN, ish-sulmuesi gjerman theksoi se vendimi i Federatës Braziliane për t’ia besuar kombëtaren një trajneri të huaj ishte një hap i guximshëm, ndërsa e cilësoi Ancelottin si njeriun e duhur për të rikthyer Brazilin në majat e futbollit botëror.
“Për mua, Brazili është favoriti kryesor për të fituar këtë Kupë Bote. Mendoj se Carlo Ancelotti i ka nxjerrë lojtarët nga zona e rehatisë. Është hera e parë që Brazili zgjedh një trajner të huaj dhe kjo tregon guxim. Ançeloti ka personalitetin, përvojën dhe aftësinë për të menaxhuar gjithçka që lidhet me futbollin brazilian. Ai ka fituar gjithçka si trajner dhe transmeton besim te skuadra”, u shpreh Klinsmann.
Gjermani vlerësoi edhe repartin mbrojtës të Brazilit, duke e cilësuar si një nga pikat më të forta të ekipit. Ai ndaloi gjithashtu te roli që mund të luajë Neymar gjatë turneut, duke sugjeruar se sulmuesi mund të jetë një armë e rëndësishme që hyn nga stoli në fazat vendimtare të ndeshjeve.
“Besoj se në një nga ndeshjet e para, Neymar mund të aktivizohet nga stoli dhe i gjithë stadiumi do të shpërthejë në entuziazëm. Do të jetë një moment i veçantë. Ndërkohë, në mbrojtje Brazili duket shumë i fortë, me përvojë dhe uri për sukses. Për të ngritur trofeun, ata duhet të fitojnë tetë ndeshje dhe mendoj se kanë potencialin për ta bërë këtë”, përfundoi Klinsmann.









