Yamal kalon pa u vënë re në SHBA – videoja bëhet virale në rrjetet sociale

Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendjen e tifozëve të futbollit, pasi tregon yllin spanjoll Lamine Yamal duke bërë pazar në një supermarket në SHBA pa u njohur nga askush.

Pamjet, të shpërndara nga Fox Soccer, e tregojnë talentin e ri të Spanjës duke dalë qetësisht nga një dyqan ushqimor në Fort Oglethorpe, në shtetin e Georgia-s, pa u ndaluar apo shqetësuar nga klientët e tjerë. Pavarësisht statusit të tij si një nga futbollistët më të talentuar të momentit dhe një prej emrave më të përfolur të Kupës së Botës 2026, Yamal duket se kaloi krejtësisht i pavënë re.

Fakti që ai nuk mbante veshje të kombëtares spanjolle dhe ndodhej rreth 30 kilometra larg Chattanooga-s, ku është akomoduar përfaqësuesja e Spanjës, mund të ketë ndikuar që askush të mos e identifikonte.

Ngjarja shihet nga shumëkush si një reflektim i realitetit sportiv në Shtetet e Bashkuara, ku futbolli ende nuk gëzon popullaritetin e sporteve si futbolli amerikan, basketbolli, bejsbolli apo hokeji. Kjo pasqyrohet edhe nga interesimi relativisht i ulët për disa ndeshje të Botërorit, me FIFA-n që raportohet se ka shpërndarë bileta përmes shorteve promovuese.

Yamal mbërrin në turne pas një dëmtimi në kofshë që e detyroi të mbyllte para kohe sezonin me Barcelonën. Klubi katalanas ka qenë i kujdesshëm me rikuperimin e tij dhe ka kërkuar që lojtari të mos ngarkohet menjëherë me minuta të shumta në Kupën e Botës.

Sipas raportimeve, 18-vjeçari mund të aktivizohet vetëm për një periudhë të shkurtër në ndeshjen hapëse të Spanjës kundër Kepit të Gjelbër më 15 qershor, ndërsa minutazhi i tij pritet të rritet gradualisht në përballjen pasuese ndaj Arabisë Saudite.

Objektivi i stafit teknik është që Yamal të jetë në formën optimale për sfidën ndaj Uruguait më 27 qershor. Me Spanjën që konsiderohet ndër favoritët për të shkuar larg në turne, prania dhe kontributi i talentit të Barcelonës pritet të jenë vendimtare në rrugëtimin e kampionëve të Evropës.