BE ngre pikëpyetje për qendrat italiane të emigrantëve në Gjadër

Qendrat e emigrantëve të ngritura nga Italia në Gjadër kanë hyrë në fokusin e institucioneve europiane, pas opinionit të Avokates së Përgjithshme të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, Laila Medina, e cila ka shprehur rezerva mbi përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së për mbrojtjen e azilkërkuesve.

Në vlerësimin e saj, Medina thekson se legjislacioni europian nuk i ndalon shtetet anëtare të krijojnë qendra pritjeje apo ndalimi për emigrantët jashtë territorit të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe në Shqipëri. Megjithatë, ajo nënvizon se këto struktura duhet të garantojnë plotësisht të drejtat dhe mbrojtjet e parashikuara nga e drejta europiane e azilit.

Sipas opinionit të saj, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe kuadri ligjor italian që rregullon funksionimin e qendrave në Gjadër, nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave themelore të personave të ndaluar. Shqetësimet kryesore lidhen me aksesin në mbrojtje ligjore efektive, respektimin e jetës private dhe familjare, si dhe sigurimin e lirimit të menjëhershëm të emigrantëve sapo të përfundojë afati ligjor i ndalimit.

Megjithëse opinioni i Avokates së Përgjithshme nuk është detyrues për gjykatën, ai konsiderohet një orientim i rëndësishëm për vendimin përfundimtar që pritet të japë Gjykata e Drejtësisë e BE-së në muajt e ardhshëm. Nëse gjyqtarët ndjekin të njëjtën qasje, vendimi mund të ketë pasoja jo vetëm për marrëveshjen Itali–Shqipëri, por edhe për iniciativa të ngjashme që po shqyrtohen nga vende të tjera europiane për menaxhimin e migracionit jashtë kufijve të unionit.

Marrëveshja e arritur mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama është paraqitur si një projekt pilot për politikat e reja europiane të migracionit dhe po ndiqet me interes nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të përcaktojë nëse ky model mund të shërbejë si precedent për politikat e ardhshme migratore në Europë.