Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se janë më pranë se kurrë arritjes së një marrëveshjeje historike që synon t’i japë fund tensioneve dhe përplasjeve të fundit në Lindjen e Mesme. Sipas deklaratave të zyrtarëve të të dy vendeve, dokumenti ndodhet në fazën përfundimtare të diskutimeve, ndërsa çështjet kryesore mbeten rihapja e Ngushticës së Hormuzit, e ardhmja e programit bërthamor iranian dhe heqja e kufizimeve amerikane ndaj Teheranit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se elementët kryesorë të marrëveshjes janë miratuar nga institucionet më të larta të Republikës Islamike, përfshirë liderin suprem Mojtaba Khamenei dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sipas tij, dokumenti do të shërbejë si bazë për përfundimin e konfliktit në disa fronte rajonale dhe për një fazë të re në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Araghchi theksoi se për herë të parë në afro pesë dekada, të dy vendet pritet të njohin zyrtarisht dhe me shkrim sovranitetin dhe sistemet politike të njëri-tjetrit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Në të njëjtën kohë, media amerikane raportojnë se është arritur një marrëveshje paraprake që parashikon ndalimin e përplasjeve ushtarake, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim ndërkombëtar dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane.
Në kuadër të këtij drafti, Irani do të riafirmojë angazhimin për të mos zhvilluar armë bërthamore. Megjithatë, çështja e plotë e programit atomik iranian mbetet ende e hapur dhe do të jetë objekt i një raundi të ri negociatash që pritet të zhvillohet brenda 60 ditëve nga nënshkrimi i memorandumit.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka siguruar se marrëveshja është ndërtuar për të garantuar interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, ndërsa përfitimet ekonomike do të zbatohen vetëm nëse Irani respekton të gjitha detyrimet e marra përsipër.
Një rol të rëndësishëm në procesin diplomatik duket se ka luajtur edhe Pakistani. Kryeministri Shehbaz Sharif deklaroi se teksti përfundimtar i marrëveshjes është praktikisht gati, duke rritur optimizmin për një përmbyllje të shpejtë të negociatave.
Ndërkohë, Izraeli vazhdon të mbajë një qëndrim të kujdesshëm. Kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump, gjatë së cilës mori garanci se kufizimet ndaj programit bërthamor iranian do të mbeten pjesë thelbësore e çdo marrëveshjeje përfundimtare.
Sipas burimeve diplomatike, dokumenti aktual parashikon fillimin e negociatave intensive për programin bërthamor të Iranit, pezullimin e përplasjeve ushtarake në rajon dhe krijimin e një mekanizmi të ri për menaxhimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit.
Nëse nuk shfaqen pengesa të reja, marrëveshja mund të nënshkruhet brenda ditëve të ardhshme, me shumë gjasa në Gjenevë. Delegacioni amerikan pritet të drejtohet nga JD Vance, ndërsa pala iraniane nga kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Megjithatë, disa pika mbeten ende të pazgjidhura, veçanërisht fati i rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit. Teherani kërkon hollimin e tyre brenda territorit iranian, ndërsa Uashingtoni insiston në eliminimin e plotë të tyre si garanci për të shmangur çdo mundësi të zhvillimit të armëve bërthamore.
Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, sinjalet nga të dyja palët tregojnë se rruga drejt një marrëveshjeje të shumëpritur është më e hapur se kurrë më parë.









