Tensione në Hormuz/ SHBA rrëzon dronë iranianë mes negociatave për paqe me Teheranin

Forcat amerikane kanë rrëzuar disa dronë sulmues iranianë që po lëviznin drejt Ngushticës së Hormuzit, në një incident që rrit tensionet në një nga korridoret detare më të rëndësishme të botës, pavarësisht sinjaleve të fundit për një marrëveshje të mundshme mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Sipas një burimi të cituar nga Reuters, dronët përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për trafikun tregtar që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugë strategjike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) konfirmoi operacionin, duke bërë të ditur se mjetet ajrore pa pilot u neutralizuan me sukses dhe se lundrimi në ngushticë vijon normalisht, pa ndërprerje për anijet tregtare.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se gjatë orëve të fundit janë dëgjuar shpërthime në zonën e portit Sirik dhe në ishullin Qeshm, pranë Ngushticës së Hormuzit. Sipas autoriteteve lokale dhe banorëve të zonës, shpërthimet lidhen me të shtëna paralajmëruese të forcave iraniane ndaj mjeteve detare që, sipas tyre, po lëviznin pa autorizimin e Marinës së Gardës Revolucionare.

Incidenti ndodh në një moment delikat, kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë lëshuar sinjale pozitive për arritjen e një marrëveshjeje që mund t’i japë fund përshkallëzimit të konfliktit mes dy vendeve. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se situata në rajon mbetet e brishtë dhe çdo incident ushtarak mund të ndikojë në procesin diplomatik që po zhvillohet mes palëve.