Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kritikuar Bashkimin Europian për mungesën e iniciativave diplomatike ndaj Rusisë, duke theksuar se Evropa duhet të ketë një rol më aktiv në dialogun me Moskën lidhur me luftën në Ukrainë.
Në një intervistë për transmetuesin gjerman WDR, Merkel deklaroi se mbështetja ushtarake për Ukrainën është e nevojshme, por paralajmëroi se diplomacia nuk duhet të lihet pas dore.
“Është gabim që vetëm SHBA të mbajë kontakte me Rusinë. Europa duhet të përdorë më shumë peshën dhe ndikimin e saj diplomatik”, u shpreh ish-kancelarja gjermane.
Merkel bëri të ditur se që në vitin 2021 kishte propozuar krijimin e një formati dialogu mes Bashkimit Europian dhe Rusisë, por iniciativa nuk u realizua për shkak të kundërshtimeve dhe mungesës së dakordësisë mes vendeve anëtare të BE-së.
Ajo nënvizoi se diplomacia duhet të mbetet pjesë thelbësore e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare, duke kujtuar edhe përfshirjen e saj në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë viteve të kaluara.
Angela Merkel drejtoi Gjermaninë nga viti 2005 deri në vitin 2021 dhe konsiderohet një nga figurat më me ndikim në politikën europiane, sidomos në marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Moskës para nisjes së luftës në Ukrainë.









