Ushtria amerikane ka vijuar ofensivën ndaj Iranit, duke përfunduar natën e 12-të radhazi të sulmeve ajrore kundër objektivave ushtarake në territorin iranian. Lajmi u konfirmua nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), e cila njoftoi se operacionet e fundit u zhvilluan mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22:30 sipas kohës lokale.
Sipas deklaratës zyrtare, sulmet kishin në shënjestër kapacitetet detare të Iranit, depot e raketave dhe dronëve, sistemet e mbikëqyrjes bregdetare, si edhe asetet e mbrojtjes ajrore. CENTCOM theksoi se objektivi i operacionit ishte dobësimi i mëtejshëm i aftësive ushtarake iraniane për të kërcënuar anijet tregtare dhe lundrimin civil në rajon.
Komanda amerikane bëri të ditur se gjatë këtij muaji janë goditur dhjetëra objektiva ushtarake në të gjithë Iranin, ndërsa paralelisht është rikthyer edhe bllokada detare ndaj vendit.
Në kuadër të këtij operacioni, forcat amerikane kanë devijuar itinerarin e nëntë anijeve tregtare dhe kanë ndaluar një tjetër, me synimin për të penguar hyrjen ose daljen e mjeteve lundruese nga portet iraniane.
Sipas CENTCOM-it, mbi 50 mijë ushtarakë amerikanë vijojnë të jenë të dislokuar në Lindjen e Mesme, duke mbetur në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të mëtejshëm në rajon.
Përshkallëzimi i konfliktit vazhdon prej javësh. SHBA-ja ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave iraniane, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me goditje ndaj bazave dhe objekteve që, sipas tij, përdoren nga ushtria amerikane në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme.
Përplasjet ushtarake kanë vijuar pavarësisht marrëveshjes kornizë të ndërmjetësuar nga Pakistani, e nënshkruar në muajin qershor nga Uashingtoni dhe Teherani, e cila synonte ndërprerjen e konfliktit të nisur në shkurt dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.









