Rekord historik në futboll – Jamal dhe Haaland arrijnë vlerën marramendëse prej 220 milionë eurosh

Platforma e specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Transfermarkt, ka publikuar përditësimin më të fundit të vlerave në treg pas përfundimit të Kupës së Botës, duke sjellë ndryshime të rëndësishme për 99 lojtarë dhe një rekord të ri historik.

Dy nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, Lamine Jamal dhe Erling Haaland, kanë arritur vlerën rekord prej 220 milionë eurosh secili, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë nga Transfermarkt për një futbollist.

Me këtë përditësim, talenti spanjoll i Barcelonës dhe sulmuesi norvegjez i Manchester City-t kanë lënë pas edhe francezin Kylian Mbappé, i cili tashmë vlerësohet me 200 milionë euro.

Përditësimi i fundit konfirmon se futbolli botëror po hyn në një epokë të re, ku lojtarët e rinj dhe performancat e tyre në nivelet më të larta po ndikojnë drejtpërdrejt në vlerën e tyre në tregun e transferimeve.

Lista e futbollistëve me një vlerë prej 100 milionë eurosh ose më shumë është zgjeruar ndjeshëm. Asaj i janë bashkuar emra si Pau Cubarsí, William Saliba, Enzo Fernández, Elliot Anderson dhe Morgan Rogers, duke e çuar në 26 numrin total të futbollistëve që kanë arritur ose kaluar këtë prag.

Ndërkohë, rritjen më të madhe të vlerës në këtë përditësim e ka regjistruar Elliot Anderson, i cili ka fituar plot 35 milionë euro, duke u bërë futbollisti me progresin më të madh në treg.

Përditësimi i Transfermarkt pasqyron ndikimin që kanë pasur paraqitjet në Kupën e Botës dhe sezonet e fundit në klubet respektive, duke konfirmuar se Lamine Jamal dhe Erling Haaland janë aktualisht dy futbollistët më të vlerësuar në planet.