Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar të pamjaftueshëm propozimin e ri të Iranit për një marrëveshje bërthamore dhe ka lënë të hapur mundësinë e veprimeve ushtarake, përfshirë edhe bombardimet, nëse nuk ka ndryshim qëndrimi nga Teherani.
Sipas raportimeve të medias amerikane Axios, Trump nuk sheh përparim të mjaftueshëm në negociatat aktuale dhe po shqyrton një sërë opsionesh, përfshirë rifillimin e operacioneve ushtarake.
Burime të cituara nga Axios bëjnë të ditur se presidenti amerikan pritet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar hapat e ardhshëm në një situatë të konsideruar të tensionuar.
Raporti thekson se Irani ka paraqitur një propozim të ri përmes ndërmjetësve pakistanezë, por ndryshimet në dokument janë të kufizuara dhe nuk përfshijnë angazhime konkrete për programin e pasurimit të uraniumit.
Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Axios, nëse nuk ka lëshime nga pala iraniane, “negociatat mund të vazhdojnë përmes bombave”, duke reflektuar ashpërsimin e gjuhës diplomatike mes palëve.
Megjithatë, zyrtarë amerikanë theksojnë se qëllimi mbetet arritja e një marrëveshjeje diplomatike, por paralelisht po shqyrtohen edhe opsionet ushtarake për shkak të mungesës së progresit në bisedime.
Situata mes SHBA-së dhe Iranit mbetet e tensionuar, ndërsa bisedimet po zhvillohen kryesisht në mënyrë indirekte përmes ndërmjetësve.









