Forcat e armatosura të Ukrainës kanë ndërmarrë një seri goditjesh ndaj infrastrukturës detare dhe logjistike ruse në rajonin e Detit të Zi dhe territoreve të pushtuara, duke rritur intensitetin e përplasjes ushtarake në jug të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, është goditur anija cisternë “FINA A” në Detin e Zi, e cila dyshohet se bën pjesë në të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë. Kjo flotë përdoret, sipas Kievit, për transportimin e naftës dhe produkteve të saj në mënyrë që të shmangen sanksionet ndërkombëtare.
Autoritetet ushtarake ukrainase deklaruan se objektivi është goditur me sukses dhe aktualisht po vlerësohet shkalla e dëmit të shkaktuar.
Në të njëjtin njoftim, Shtabi i Përgjithshëm bëri të ditur se janë goditur edhe disa objekte infrastrukturore të përdorura nga forcat ruse për logjistikën ushtarake dhe lëvizjen e trupave në zonat e pushtuara përkohësisht në jug të Ukrainës.
Ndër objektivat e sulmeve përfshihen dy ura rrugore strategjike: njëra mbi Kanalin e Krimesë së Veriut pranë vendbanimit Stavky dhe tjetra pranë zonës Voinka në rajonin e Khersonit. Këto struktura, sipas palës ukrainase, kanë shërbyer për furnizimin dhe lëvizjen e forcave ruse në territoret e kontrolluara prej tyre.
Sulmet e fundit vijnë në një moment kur lufta në Ukrainë vijon të jetë e përqendruar edhe në infrastrukturën logjistike, e cila konsiderohet kyçe për mbështetjen e operacioneve ushtarake në vijat e frontit.









