Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë në Parlamenti Europian, duke e cilësuar votimin si një përgjigje të qartë ndaj debateve dhe kundërshtive që kanë shoqëruar projektet e zhvillimit në zonën e Zvërnecit dhe lagunës së Vjosë-Nartës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u ndal te amendamenti që lidhej me projektin në Zvërnec, duke theksuar se ai u rrëzua nga shumica dërrmuese e eurodeputetëve. Sipas tij, ky votim tregoi dallimin mes asaj që e quajti “stuhi dizinformimi” dhe realitetit të projektit.
Kryeministri deklaroi se zona e mbrojtur e Vjosë-Nartës nuk ka lidhje me zhvillimin e parashikuar në Zvërnec dhe se pretendimet e ngritura nga kundërshtarët e projektit nuk janë mbështetur nga institucionet europiane.
Rama garantoi se habitatet natyrore dhe flamingot do të vijojnë të mbrohen, ndërsa çdo investim në zonë do të zbatohet vetëm mbi bazën e një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis, të hartuar sipas standardeve dhe kërkesave të Bashkimit Europian.
Ai akuzoi kundërshtarët e projektit se kanë përdorur mbrojtjen e mjedisit si pretekst për qëllime politike, duke pretenduar se protesta e nisur në emër të mbrojtjes së flamingove po shndërrohet në një betejë për pushtet.
Në përfundim, Rama theksoi se Shqipëria do të vazhdojë rrugën e integrimit europian dhe se mbështetja e marrë në Parlamentin Europian është një tjetër sinjal pozitiv për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.









