PE miraton Rezolutën për Shqipërinë me 483 vota pro – reagon kreu i grupit PS, Balla: Sinjal i fortë për anëtarësimin në BE

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur miratimin e Rezolutës vjetore për Shqipërinë nga Parlamenti Europian, e cila u votua me 483 vota pro.

Përmes një reagimi publik, Balla e cilësoi rezultatin si një vlerësim të rëndësishëm për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe për reformat e ndërmarra në kuadër të rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sipas tij, mbështetja e gjerë e eurodeputetëve për rezolutën përbën një dëshmi të qartë të besimit që institucionet europiane kanë ndaj progresit të vendit.

“Ky vendim i përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.

Ai falënderoi eurodeputetët që mbështetën rezolutën, duke veçuar raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, si dhe përfaqësuesit e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve dhe eurodeputetin Andrey Kovatchev për kontributin e tyre në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë.

Sipas Ballës, votimi i rezolutës përfaqëson një mesazh të fortë politik nga Brukseli dhe një inkurajim të rëndësishëm për vijimin e reformave, me synimin që Shqipëria të realizojë objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.