Një moment emocionues ka bërë xhiron e rrjeteve sociale gjatë Kupës së Botës, ku protagonist u bë një tifoz i vogël i Uzbekistanit pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Kolumbisë.
I veshur me ngjyrat e kombëtares së tij dhe duke mbajtur në duar një replikë të trofeut të Kupës së Botës, djali nuk mundi t’i përmbante lotët pas përfundimit të ndeshjes. I zhgënjyer nga rezultati, ai qëndronte duke qarë teksa shikonte drejt fushës.
Por pikëllimi i tij nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët kolumbianë që ndodheshin pranë. Në një gjest që është vlerësuar gjerësisht në rrjet, ata u afruan pranë fëmijës për ta ngushëlluar dhe për t’i dhënë kurajë.
Pamjet tregojnë mbështetësit kolumbianë teksa e përqafojnë, i përkëdhelin kokën dhe shpatullat, ndërsa më pas nisin të thërrasin në kor: “Uzbekistan! Uzbekistan!”, për ta bërë të ndihej më mirë pas humbjes.
Gjesti i tyre e preku thellësisht tifozin e vogël, i cili, mes lotëve, përjetoi një moment të rrallë solidariteti dhe respekti sportiv.
Videoja është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar si një nga momentet më të bukura të deritanishme të Botërorit, duke treguar se futbolli nuk është vetëm rivalitet, por edhe humanizëm dhe bashkim mes tifozëve.









