“Ju hoq non grata?” – Berisha habit në Kuvend: Unë erdha, u krye!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shmangur komentet lidhur me raportimet për heqjen e statusit “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, duke dhënë një përgjigje të shkurtër dhe enigmatike teksa hynte në Kuvend.

I pyetur nga gazetarët nëse ishte njoftuar zyrtarisht për heqjen e sanksioneve amerikane, Berisha nuk dha asnjë sqarim, por u mjaftua me deklaratën: “Unë erdha, u krye!”

Mbërritja e liderit demokrat në Parlament u shoqërua me duartrokitje nga deputetët e opozitës, ndërsa deklarata e tij e shkurtër ngjalli menjëherë interes dhe spekulime në media.

Sipas raportimeve, Berisha dyshohet se është informuar për zhvillimin përmes një bisede telefonike me Nancy VanHorn. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë konfirmim apo njoftim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit⁠.

Statusi “non grata” ndaj Berishës dhe familjes së tij u shpall më 19 maj 2021 nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Në atë kohë, Uashingtoni argumentoi se masa lidhej me akuza për përfshirje në korrupsion dhe ndërhyrje në procese publike, pretendime që Berisha i ka mohuar vazhdimisht.

Në mungesë të një deklarate zyrtare nga autoritetet amerikane, statusi i kësaj çështjeje mbetet ende i paqartë.