Skandal në Botëror/ Anglisë i vidhen pajisjet stërvitore para debutimit – Policia arreston dy persona

Një incident i pazakontë ka tronditur kampin e kombëtares së Anglisë vetëm pak ditë para ndeshjes së parë në Kupën e Botës 2026. Pajisjet stërvitore të ekipit anglez janë vjedhur gjatë transportit drejt bazës së skuadrës në Kansas City, ndërsa autoritetet amerikane kanë nisur menjëherë hetimet dhe kanë arrestuar dy persona të dyshuar.

Sipas raportimeve, automjetet që po transportonin materialet sportive drejt qendrës stërvitore në Swope Soccer Village janë thyer përpara mbërritjes së ekipit. Pas verifikimeve të para, dyshohet se mes sendeve të zhdukura ndodhen topa futbolli, këpucë sportive dhe pajisje të tjera të nevojshme për përgatitjet e skuadrës.

Federata e Futbollit e Anglisë po punon për të përcaktuar me saktësi dëmet dhe inventarin e sendeve të humbura, ndërsa policia lokale ka konfirmuar se hetimet janë ende në zhvillim.

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, dhe lojtarët e tij pritej të mbërrinin në Kansas City të shtunën pasdite, me synimin për të nisur menjëherë përgatitjet për sfidën hapëse të Botërorit.

Autoritetet amerikane deklaruan se janë duke hetuar një vjedhje të mundshme të pajisjeve nga automjetet e ekipit dhe se po bashkëpunojnë ngushtë me federatën angleze për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas mediave britanike, dy persona janë arrestuar në lidhje me incidentin, megjithëse detaje të tjera mbi identitetin e tyre nuk janë bërë ende publike.

Ngjarja vjen në një moment delikat për Anglinë, e cila të mërkurën do të përballet me Kroacia në ndeshjen e parë të grupit. Lojtarët anglezë pritet të zhvillojnë seancën e parë të plotë stërvitore të dielën, ndërsa federata po përpiqet të minimizojë ndikimin e këtij episodi në përgatitjet e skuadrës.