Një operacion i gjerë i Policisë së Tiranës ka çuar në zbulimin dhe goditjen e një call center-i që dyshohet se përdorej për veprimtari të mashtrimit kompjuterik në kryeqytet. Aksioni u zhvillua në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku autoritetet arrestuan katër persona të dyshuar si organizatorë dhe drejtues të skemës, ndërsa 49 punonjës u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni i koduar “Hold On” u realizua nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe ata të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, pas informacioneve operative se në katin e dytë të një objekti ushtrohej aktivitet i paligjshëm përmes mashtrimeve online.
Gjatë ndërhyrjes, në ambientet e përshtatura me dhjetëra poste pune, efektivët kapën në flagrancë katër persona të identifikuar si administratorë ose drejtues të grupeve të punës. Të arrestuarit janë shtetasit E.K., 28 vjeç, A.J., 21 vjeç, E.D., 21 vjeç dhe M.M., 19 vjeç.
Në të njëjtin ambient u konstatuan duke punuar edhe 49 persona të tjerë, për të cilët nisi procedimi penal, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme pajisjesh elektronike që dyshohet se përdoreshin për mashtrime kompjuterike, përfshirë 94 kompjuterë, 11 telefona celularë dhe 2 tabletë iPad, si dhe dokumente e materiale të tjera me interes për hetimin.
Autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht skemën e funksionimit të call center-it, identifikimin e personave të dëmtuar dhe përmasat e aktivitetit të dyshuar mashtrues.









