Mijëra qytetarë iu bashkuan edhe këtë mbrëmje protestës para Kryeministrisë, duke shënuar ditën e tetë radhazi të mobilizimit kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Qytetarë nga grupmosha të ndryshme, mes tyre familje të shumta të shoqëruara me fëmijët e tyre, u mblodhën në qendër të Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshim të kursit politik në vend. Pjesëmarrësit theksuan se, megjithëse kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec ishte shkëndija që nxiti protestat, pakënaqësia qytetare tashmë shtrihet shumë më gjerë, duke përfshirë çështje që lidhen me korrupsionin, keqqeverisjen, largimin e të rinjve dhe menaxhimin e pasurive publike.
Për më shumë se tre orë, protestuesit qëndruan para godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga qytetarë, aktivistë dhe pjesëmarrës të ndryshëm, të cilët shprehën shqetësimet e tyre për situatën në vend dhe kërkuan përgjegjësi nga qeveria.
Pas përfundimit të fjalimeve, turma nisi një marshim paqësor në rrugët kryesore të kryeqytetit. Gjatë ecjes, protestuesit u bënë thirrje të rinjve që t’u bashkohen tubimeve, duke argumentuar se angazhimi qytetar është i domosdoshëm për të sjellë ndryshime.
“Shqipëria nuk shitet”, “Rama ik”, “Revolucion”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Jep dorëheqjen” ishin ndër thirrjet që dominuan gjatë protestës dhe marshimit në rrugët e Tiranës.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.









