Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir, ka reaguar ashpër pas sulmit me raketa të ndërmarrë nga Teherani ndaj territorit izraelit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Ben Gvir lëshoi një mesazh të fortë dhe kërcënues, duke kërkuar një kundërpërgjigje të menjëhershme ndaj Iranit.
“Teherani duhet të digjet sonte!”, shkroi ai, në një deklaratë që pritet të shtojë edhe më tej tensionet në rajon.
Reagimi vjen pasi autoritetet izraelite njoftuan se Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit, në sulmin e parë të tillë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të brishtë në fillim të muajit prill.
Sipas ushtrisë izraelite, sirenat e alarmit u aktivizuan në disa zona të vendit menjëherë pas identifikimit të raketave të lëshuara nga territori iranian.
“Pak më parë, sirenat u dëgjuan në disa zona në të gjithë vendin pas identifikimit të raketave të lëshuara nga Irani drejt Shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratën zyrtare të forcave të armatosura izraelite.
Deri tani nuk raportohet për viktima apo dëme materiale, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet.
Sulmi iranian vjen pas paralajmërimeve të Teheranit për hakmarrje ndaj bombardimeve izraelite në periferitë jugore të Bejrutit, një zonë e konsideruar bastion i Hezbollah. Nga ana e saj, qeveria izraelite ka argumentuar se sulmet në Liban ishin një kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Hezbollahut në veri të Izraelit.
Përplasja e re rrezikon të minojë përpjekjet diplomatike për ruajtjen e armëpushimit dhe të hapë një kapitull të ri përshkallëzimi në konfliktin që prej muajsh po trondit Lindjen e Mesme.









