ALARMI PER DROGEN/ Trafikantët e shesin mes të rinjve – tashmë të pështatur si karamele për të joshur adoleshentët

Autoritetet shqiptare kanë ngritur alarmin për një metodë të re dhe shqetësuese që po përdoret nga shpërndarësit e lëndëve narkotike për të afruar adoleshentët dhe të rinjtë drejt konsumit të drogës.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, kanabisi sintetik po qarkullon gjithnjë e më shumë në formë karamelesh ose xhelatine, duke e bërë të vështirë dallimin e tij nga produktet e zakonshme ushqimore. Për shkak të pamjes tërheqëse dhe paketimit që nuk ngjall dyshime, kjo lëndë paraqet rrezik të lartë veçanërisht për të miturit.

Gjatë pesë muajve të parë të vitit, autoritetet kanë sekuestruar rreth 700 gramë kanabis sintetik, ndërsa hetimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e tregtimit po zhvillohet përmes platformave online dhe rrjeteve sociale.

Në kuadër të operacioneve kundër narkotikëve, policia ka identifikuar edhe një ambient në Durrës, ku dyshohet se lënda narkotike përpunohej dhe përgatitej në formën e karameleve prej xhelatine, për t’u shpërndarë më pas në treg.

Ekspertët e sigurisë dhe autoritetet ligjzbatuese shprehen të shqetësuara se forma e re e shpërndarjes mund të bëjë që adoleshentët ta konsumojnë lëndën pa qenë të vetëdijshëm për përmbajtjen e saj dhe pasojat serioze që mund të ketë për shëndetin fizik dhe mendor.

Përballë kësaj situate, Policia e Shtetit ka informuar edhe institucionet arsimore, duke kërkuar rritjen e masave parandaluese dhe ndërgjegjësimin e nxënësve, mësuesve dhe prindërve për rrezikun që paraqet kjo formë e re e drogës.

Ndërkohë, statistikat e periudhës janar–15 qershor tregojnë se gjatë operacioneve antidrogë janë sekuestruar rreth 9 kilogramë kokainë, 3 kilogramë heroinë dhe afro 800 kilogramë kanabis, çka dëshmon për vazhdimësinë e luftës kundër trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në vend.