Pas Vlorës do ndërtohet aeroport edhe në Gjirokastër – Rama jep lajmin: Linja direkte Shqipëri–SHBA shumë afër finalizimit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria po i afrohet realizimit të një objektivi strategjik, hapjes së linjës direkte ajrore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila sipas tij është tashmë “shumë afër finalizimit”.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të fluturimit të parë Tiranë–Toronto në Aeroportin e Rinasit, Rama e cilësoi këtë zhvillim si një hap historik për vendin, duke theksuar se Shqipëria është përfshirë për herë të parë në hartën e fluturimeve transoqeanike. Ai shtoi se ky proces ka ecur më shpejt nga sa ishte parashikuar disa vite më parë dhe se zgjerimi i lidhjeve ajrore do të vijojë me ritme të larta.

Kryeministri u shpreh optimist për suksesin e linjave të reja ndërkombëtare dhe vuri në dukje rritjen e ndjeshme të trafikut ajror në Aeroportin e Tiranës gjatë dekadës së fundit, si në numër pasagjerësh ashtu edhe në cilësinë e shërbimeve.

Ai paralajmëroi gjithashtu një fazë të re modernizimi në aeroport, që përfshin vendosjen e portave digjitale, të cilat do të lehtësojnë kalimin e pasagjerëve shqiptarë me pasaportë, pa kontrolle tradicionale në disa procedura hyrje-daljeje.

Sa i përket infrastrukturës ajrore, Rama deklaroi se Aeroporti i Vlorës do të hapet pavarësisht pengesave dhe mosmarrëveshjeve mes kompanive të përfshira në projekt. Ai shtoi gjithashtu se qeveria po përgatit garën për ndërtimin e Aeroportit të Gjirokastrës, i cili do të ketë karakter turistik dhe sezonal.

Në të njëjtën linjë, Rama theksoi se nuk do të hiqet dorë as nga zhvillimi i mëtejshëm i Aeroportit të Kukësit, duke e konsideruar zgjerimin e rrjetit ajror si pjesë të strategjisë afatgjatë të transportit në vend.