Talenti i madh i futbollit spanjoll, Lamine Yamal, ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores bindëse 4-0 të Spanjës ndaj Arabisë Saudite në ndeshjen e dytë të Grupit H të Kupës së Botës 2026. Sulmuesi 18-vjeçar jo vetëm që u rikthye në formën e tij më të mirë pas shqetësimeve fizike, por arriti edhe të shënonte golin e parë të karrierës në një Kampionat Botëror.
Yamal hapi serinë e golave që në minutën e 10-të, duke finalizuar me sukses një asist të Mikel Oyarzabal. Ky i fundit ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes, pasi realizoi edhe dy gola të tjerë në triumfin e “La Roja”.
Pas përfundimit të takimit, ylli i Barcelonës nuk e fshehu lumturinë për suksesin e skuadrës dhe për paraqitjen e shokut të tij të ekipit.
“Jam shumë i lumtur për Mikelin dhe për golat që shënoi. Ishte shumë e rëndësishme që të fitonim dhe bëmë pikërisht atë që duhej të bënim”, deklaroi Yamal për televizionin spanjoll TVE.
Megjithatë, momenti më emocionues erdhi kur ai u pyet për golin e tij të parë në një Botëror. Me sinqeritetin që e karakterizon, 18-vjeçari pranoi se kishte realizuar një ëndërr të fëmijërisë.
“Është një ndjesi shumë e veçantë. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në një Kupë Bote dhe të debutoj duke shënuar gol. Është një ëndërr e bërë realitet, sepse Botërorin e fundit e kam ndjekur nga banka e shkollës, ndërsa sot po luaj dhe po shënoj në të”, u shpreh Yamal.
Me paraqitjet e tij mbresëlënëse, sulmuesi spanjoll po konfirmon se është një nga emrat më premtues të futbollit botëror dhe një nga armët kryesore të Spanjës në rrugëtimin e saj drejt trofeut.









