Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të bëra nga një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, i cili pretendoi se në tubim kishte persona të infiltruar që synonin të krijonin incidente.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ironizuar këto pretendime, duke ngritur pikëpyetje edhe për vetë rolin e organizatorëve në protestë.
“Ouuu… Po ky vetë? Avash-avash, të gjithë do të dalin!”, shkruan Rama në reagimin e tij.
Më tej, kreu i qeverisë përdor një gjuhë metaforike për të komentuar pjesëmarrësit në protestë, duke u shprehur se “flamingot do të habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”.
Deklarata vjen në kulmin e debatit politik të shkaktuar nga protestat e ditëve të fundit, ndërsa përplasjet verbale mes mazhorancës dhe organizatorëve të tubimeve vijojnë të intensifikohen.









