Protesta e 20 Qeeshorit – reagon Lamallari: Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në zhvillimet e fundit politike në Tiranë, duke kundërshtuar përdorimin e termit “diasporë” për shqiptarët që vijnë nga këto vende.

Përmes një deklarate publike, Lamallari theksoi se shqiptarët që hyjnë në Shqipëri me targa të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk mund të konsiderohen pjesë e diasporës, pasi ata jetojnë në shtete të pavarura ose janë faktorë shtetformues në vendet ku banojnë.

“Me targa të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut futen në Republikën e Shqipërisë sikur janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit”, u shpreh ministri, duke ironizuar mënyrën se si paraqitet pjesëmarrja e tyre në protesta dhe aktivitete politike.

Lamallari sqaroi se konceptet e mërgatës dhe diasporës lidhen me emigrimin e shqiptarëve në vende të huaja dhe jo me lëvizjen e qytetarëve brenda hapësirës shqiptare në rajon. Sipas tij, Kosova është një shtet i pavarur, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut gëzojnë statusin e një faktori të rëndësishëm shtetformues.

Në deklaratën e tij, ministri kujtoi gjithashtu mbështetjen historike të Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës dhe vlerësoi simbolikën e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si pjesë të rëndësishme të historisë kombëtare.

Në përfundim, Lamallari theksoi se shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri, por shtoi se duhet të ketë qartësi dhe korrektësi në përdorimin e termave që lidhen me identitetin kombëtar dhe përkatësinë e tyre.

Reagimi;

Me targa 🇽🇰 dhe 🇲🇰, futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar!

Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues.

Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.

Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vllai-vallin.

Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.

P.S: Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët e 🇦🇱 dhe 🇽🇰 duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.