Qeveria ka miratuar një metodologji të re për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve për vitin buxhetor 2026, duke vendosur lehtësira të plota për familjet në nevojë dhe një sistem më të rreptë të lidhjes së financimeve me performancën e kompanive të ujit.
Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përfitojnë mbulim 100% të faturës së ujit për konsum deri në 5 metër kub në muaj për çdo kontratë familjare. Kjo do të thotë se për këtë sasi uji, qytetarët nuk do të paguajnë asnjë kosto.
Subvencioni shtetëror përfshin jo vetëm ujin e konsumuar, por edhe tarifën fikse të shërbimit, tarifat e kanalizimeve dhe kostot për trajtimin e ujërave të ndotura urbane. Masa synon të garantojë furnizimin minimal jetik me ujë për shtresat më të cenueshme të shoqërisë.
Zbritja do të aplikohet automatikisht në faturat mujore të ujit, pa qenë e nevojshme që qytetarët të bëjnë aplikime apo kërkesa shtesë pranë ndërmarrjeve të ujësjellësit.
Rregullorja e re përcakton gjithashtu se përfitimi jepet vetëm një herë për çdo familje, pavarësisht numrit të anëtarëve që mund të përfshihen në kategori të ndryshme sociale brenda të njëjtës familje.
Një nga ndryshimet kryesore të skemës është lidhja e subvencioneve me performancën e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve. Vetëm kompanitë që kanë nënshkruar kontrata performance me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) do të rimbursohen nga shteti për uljet e aplikuara ndaj familjeve në nevojë.
Megjithatë, edhe ndërmarrjet që ende nuk kanë nënshkruar këtë kontratë janë të detyruara të zbatojnë skemën e përfitimit për qytetarët. Në këto raste, kostoja e mbulimit të ujit falas do të përballohet përkohësisht nga vetë buxhetet e kompanive të ujësjellësit, deri në plotësimin e kushteve për financim nga shteti.









