“Të miratohet urgjentisht minimumi jetik” – Alarmi i Avokatit të Popullit thirrje Kuvendit: Në Shqipëri nuk jetohet me më pak se 220 euro në muaj

Shqipëria vijon të mbetet i vetmi vend në rajon pa një minimum jetik të përcaktuar me ligj, ndërsa mijëra qytetarë mbijetojnë me pensione dhe ndihmë ekonomike që janë shumë poshtë kufirit të varfërisë. Ky shqetësim u ngrit nga Avokati i Popullit, Endrit Shabani, gjatë raportimit të veprimtarisë së institucionit për vitin 2025 në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Shabani i bëri thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë sa më shpejt minimumin jetik, duke theksuar se sipas përllogaritjeve të përditësuara, kufiri i varfërisë në vend ka arritur në 22 mijë lekë në muaj për çdo person, ose rreth 220 euro.

Sipas tij, shtatë vite më parë Avokati i Popullit ishte institucioni i parë publik që llogariti pragun e minimumit jetik në Shqipëri, ndërsa sot, pas ndikimit të inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës, situata është bërë edhe më shqetësuese.

“Edhe pse janë ndërmarrë hapa për rritjen e pagës minimale dhe pensioneve, këto masa mbeten të pamjaftueshme për sa kohë nuk ekziston një standard ligjor që përcakton nivelin minimal të jetesës. Ende ka pensionistë që marrin më pak se 10 mijë lekë në muaj dhe familje që trajtohen me ndihmë ekonomike nën 9 mijë lekë, shifra që janë më pak se gjysma e minimumit jetik”, deklaroi ai.

Avokati i Popullit theksoi se minimumi jetik nuk duhet parë thjesht si një zë financiar në buxhetin e shtetit, por si një detyrim ndaj qytetarëve dhe një garanci për dinjitetin njerëzor. Sipas tij, mungesa e këtij standardi bën që pensionet dhe skemat sociale të përcaktohen pa një pikë referimi të qartë, duke i ekspozuar shumë familje ndaj varfërisë ekstreme.

Gjatë raportimit, Shabani ndaloi edhe te problematikat që kanë gjeneruar numrin më të lartë të ankesave nga qytetarët. Në krye të listës vijon të jetë e drejta e pronës, e ndjekur nga problemet me administratën publike dhe vonesat në sistemin e drejtësisë.

Ai evidentoi se proceset gjyqësore vazhdojnë të zvarriten për vite me radhë, duke sjellë si shembull faktin se gjatë vitit 2025 Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm po shqyrtonte ende dosje të regjistruara që në vitin 2018.

Po ashtu, Avokati i Popullit ngriti shqetësime për funksionimin e disa institucioneve publike, veçanërisht drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe inspektorateve të mbrojtjes së territorit, ku qytetarët vazhdojnë të përballen me probleme që lidhen me regjistrimin, legalizimin dhe kompensimin e pronave.

Në përfundim të raportimit, Shabani kërkoi nga Kuvendi që të shqyrtojë edhe projektligjin e ri organik për Avokatin e Popullit, i cili synon zgjerimin e kompetencave të institucionit, duke i dhënë mundësinë të ushtrojë mbikëqyrje dhe të trajtojë ankesa edhe në sektorin privat.