Rooney ‘magjepset’ nga Yamal: Më bën të buzëqesh sa herë që e shikoj, mund ta çojë Spanjën te Kupa e Botës

Legjenda e futbollit anglez, Uejn Runi, nuk i ka kursyer elozhet për talentin spanjoll Lamin Jamal, pas paraqitjes së shkëlqyer që ky i fundit zhvilloi në fitoren bindëse 4-0 të Spanjës ndaj Arabisë Saudite në Kupën e Botës 2026.

Ylli i Barcelonës ishte një nga protagonistët e ndeshjes, duke zhbllokuar rezultatin që në minutat e para dhe duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një prej futbollistëve më të talentuar të brezit të ri. Edhe pse luajti vetëm 45 minuta, 18-vjeçari la gjurmë në fushë dhe mori vlerësime nga të gjitha anët.

Duke komentuar ndeshjen për BBC, ish-sulmuesi i Mançester Junajtid dhe kombëtares së Anglisë u shpreh i mahnitur nga niveli që po tregon Jamal në një moshë kaq të re.

“E dua Lamin Jamalin, ai më bën të buzëqesh sa herë që e shikoj duke luajtur”, deklaroi Runi.

Sipas tij, ajo që e bën të veçantë futbollistin spanjoll nuk është vetëm talenti teknik, por mbi të gjitha inteligjenca e tij në fushë.

“Ai ka një inteligjencë futbollistike të jashtëzakonshme. Kjo është diçka që nuk mund t’ia mësosh lehtë një lojtari. Është një cilësi e rrallë dhe ai e zotëron në mënyrë natyrale”, tha ish-kapiteni i Anglisë.

Runi vlerësoi gjithashtu ndikimin që Jamal ka te kombëtarja spanjolle, duke theksuar se prania e tij i jep skuadrës vetëbesim dhe siguri për të synuar trofetë më të mëdhenj.

“Ai i jep Spanjës besim. Me të në skuadër, ata fituan Kampionatin Evropian kur ai ishte vetëm 16 vjeç. Tani është më i pjekur, më i fortë dhe edhe më i mirë si lojtar”, u shpreh anglezi.

Në fund, Runi shprehu bindjen se Jamal mund të jetë një nga faktorët kryesorë që do ta ndihmojnë Spanjën të synojë trofeun më prestigjioz në futbollin botëror.

“Tashmë ai u jep bashkëlojtarëve besimin se mund ta fitojnë Kupën e Botës. Është një futbollist që ndryshon fatin e një skuadre”, përfundoi Runi.