Kombëtarja e Iranit ka tërhequr vëmendjen jo vetëm me paraqitjet në fushë, por edhe me një gjest të veçantë që është vlerësuar gjerësisht gjatë Kupës së Botës 2026. Pas barazimit pa gola ndaj Belgjikës, futbollistët iranianë lanë një mesazh falënderimi në dhomën e zhveshjes së stadiumit në Los Anxhelos, duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen që morën gjatë qëndrimit të tyre në qytetin amerikan.
Los Anxhelosi ka qenë qyteti pritës i dy ndeshjeve të para të Iranit në këtë Botëror, ndërsa sfida e radhës për skuadrën aziatike do të zhvillohet në Siatëll, ku do të përballet me Egjiptin në një duel vendimtar për fatet e grupit.
Pavarësisht vështirësive logjistike me të cilat është përballur gjatë turneut, kombëtarja iraniane ka treguar respekt dhe mirënjohje ndaj organizatorëve. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit, ekipi është vendosur në Tihuana të Meksikës dhe detyrohet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për çdo ndeshje, një situatë që ka shkaktuar jo pak pakënaqësi te trajneri dhe lojtarët.
Megjithatë, në mesazhin e lënë në dhomën e zhveshjes nuk kishte vend për ankesa. Në letrën e shkruar me dorë, e publikuar më pas nga Federata Iraniane e Futbollit, theksohej krenaria kombëtare dhe respekti ndaj vendit mikpritës.
“Nga Persia e lashtë e mijëra viteve më parë deri te Irani modern i ditëve të sotme, shpirti i Iranit mbetet i gjallë dhe i pathyeshëm. Erdhëm në Los Anxhelos me krenari, garuam me nder dhe largohemi me dinjitet. Faleminderit Los Anxhelos për mikpritjen tuaj”, shkruhej në mesazh.
Në fund të letrës, përfaqësuesja iraniane falënderoi edhe tifozët që e kanë mbështetur gjatë turneut, ndërsa përcolli një mesazh universal për bashkëjetesë dhe mirëkuptim.
“Paqe, respekt dhe miqësi mes të gjitha kombeve”, ishte thirrja e futbollistëve iranianë.
Gesti i Iranit është vlerësuar si një shembull i sportivitetit dhe respektit, duke treguar se futbolli mund të shërbejë edhe si një urë lidhëse mes kulturave dhe popujve të ndryshëm.









