Ka nisur në Gjykatën Administrative seanca gjyqësore lidhur me padinë e ngritur ndaj prokurorit Olsi Dado. Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili mbërriti pak minuta para fillimit të procesit.
Seanca u zhvillua në mungesë të përfaqësueses së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), pasi gjykata vendosi të vijojë shqyrtimin e çështjes pavarësisht mungesës së saj. Ndërkohë, nuk u lejua transmetimi i drejtpërdrejtë i procesit, ndërsa kamerat do të lejohen të regjistrojnë vetëm në momentin e shpalljes së vendimit.
Gjatë seancës, Erion Veliaj kritikoi ashpër mungesën e përfaqësueses së KLP-së, duke deklaruar se institucioni ka munguar gjatë gjithë procesit dhe nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave të paraqitura.
“KLP është në mungesë gjatë gjithë këtij procesi, jo vetëm sot. Nuk kthen përgjigje dhe kur duhet të jetë e pranishme, mungon. Nëse kërkohet nga publiku të respektojë rregullat, atëherë edhe KLP duhet të mbajë përgjegjësitë e saj institucionale. Më mirë të vazhdohet në mungesë të saj sesa të pritet pafundësisht”, u shpreh Veliaj.
Edhe avokati i tij, Plarent Ndreca, ngriti shqetësime për mënyrën se si po zhvillohet procesi, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e transparencës.
Sipas Ndrecës, qytetarëve dhe gazetarëve po u kufizohet aksesi në një seancë që duhet të jetë publike, ndërsa kritikoi praninë e forcave të policisë në hyrje të sallës së gjyqit.
“Ky proces po humbet seriozitetin dhe po shndërrohet në një situatë absurde. Qytetarët po pengohen të hyjnë në një seancë publike, ndërsa gazetarëve u ndalohet regjistrimi. Gjykata duhet të garantojë transparencën dhe jo të krijojë barriera për publikun”, deklaroi ai.
Avokati shtoi se udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk po zbatohen siç duhet dhe se kufizimet e vendosura ndaj medias bien ndesh me standardet e një procesi të hapur dhe transparent.
Seanca vijon me shqyrtimin e pretendimeve të palëve, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të bëhet publik në përfundim të procesit.









