TRAGJEDI NË TALE/ Dy vajza të mitura humbin jetën duke u larë në det

Një ngjarje e rëndë ka tronditur bregdetin e Tales në Lezhë këtë të premte, ku dy vajza të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, kanë humbur jetën pasi dyshohet se janë mbytur në det.

Sipas të dhënave paraprake, tragjedia ndodhi rreth orës 12:50 në një zonë të plazhit publik, e cila nuk administrohej nga ndonjë subjekt privat dhe nuk ishte nën menaxhim shtetëror.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Kufitare dhe efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë. Në bashkëpunim me pushuesit që ndodheshin në zonë, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë të dy të miturave në breg.

Më pas, trupat u transportuan drejt morgut të Spitalit Rajonal të Lezhës, ku do të kryhen procedurat përkatëse.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, si dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e jetës së dy vajzave.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe te pushuesit dhe banorët e zonës, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar çdo detaj të rastit.